ANEJLA LAKO
KTHIM NË VJESHTË
Vjeshtë-zjarr,
mallvrarë,
vjeshtë tjetër,
mall i vjetër...
Shënova kështu dikur në ditar,
një vjeshte që si dimër erdhi,
moti i nxirë shiun litar,
mbi tokë e mbi ne e derdhi.
Gjethe, moj,
e para gjethe,
ku të kërkoj,
pse më rrëqethe?
Era sjell këto fjalë të tua,
qilimit të vjeshtës së parë,
buza të dridhet tek thua: "Të dua!"
dhe kthehesh tek unë si i marrë.
Vjeshtë, moj ti,
shttt, mos trego,
e di, e di,
djali më do.
Plot mall e zjarr ti si dikur,
më vjen vjeshtës praruar,
bëj naze, por s'të lëshoj kurrë,
gjithë jetës dashuruar.
Mali i dashurisë.
Mbi buzët e tua dehem këtë natë,
ja akujt e shpirtit u shkrinë,
aq dridhëruar nga puthja e gjatë,
sa terri u ça dhe nata shndrin.
Deheshe nëpër natë buzëve të mia,
si nektar i zbritur perëndie,
me vello të bardhë si princeshë ty të vija
dhe ti si princ i kaltër më vije.
Dhe ja ky Qiell i Lumturisë,
që na përgjonte netëve mbi re,
kaltëron tani mbi Mal të Dashurisë,
mbi malin që krijuam ne.
SE JEMI NE
Vjeshtë e parë, pranverë e vonë,
një thirrje më vjen në telefon:
"Alo, jam unë, a më dëgjon?".
M'u veshën sytë përmbi ekran,
dy pika lot mbi të më ranë:
"Ku ishe, kur të desha pranë?".
Të thashë përhumbur, drithëruar,
inat e mall tek unë trazuar,
pas zërit tënd e dashuruar.
Ah, zëri yt plot drithërimë,
sërish ma zbuti shpirtin tim,
ti prapë më vjen çdo gjumë e zgjim.
MË ZGJO O ERË MALI
Më zgjo, o erë mali,
ti që nga majat zbret
dhe si lajmëtare e fshehtë më vjen.
Më gjen,
të zhytur në pshert
e në dhimbje ngjyer malli.
Dhe më rrëmben
e më ngjit përpjetë,
krahëhapur më pret djali.
Ai që ëndrrat m'i fali,
në tokë, në qiell, mbi retë,
erë mali, moj, kur po vjen?
*
Krahë m'u bëre er' e malit,
ëndrrën lart me ty e ngjita,
ma shkallmove burg' e mallit,
ja ku jam, djalë, erdhi dita.
Ja ku jam, djalë, erdhi dita,
nuk përgjojmë më në dritare,
jemi bashkë pa feksur drita,
erë e malit - dëshmitare.
HESHTA GJATË
Heshta gjatë.
Sa për mijëra fjalë foli heshtja
atë natë.
Mbrëmë
djaloshin e ëndërrt putha pak
dhe m'u ndez shpirti flakë,
ndjeva gjatë, aq gjatë...
Dhe një puthje ëndrre,
e shkurtër, plot zjarr,
të shtyka në mëkat...
DHE NË ËNDRRA MË GJEN
Gishtat flokësh ngatërruar
kaçurrelave, mrekulli,
era frynte ëmbël, shtruar,
ishte erë, a ishe ti?
A jam zgjuar, a në ëndërr,
ç'pati zëri që m'u mek?
Qenke ti, veshur si dhëndër,
që lehtë flokët po m'i prek.
Bëj ta prek të bardhën dorë,
që ndez yjet rreth e qark,
përmbi flokë m'i bën kurorë,
ah, qe ëndërr, ti je larg.
Ti je larg, por po më vjen,
aq magji, plot nur e hije,
dhe në ëndrra më gjen,
ti krijesë dashurie.
ËNDËRR E KALTËR...
Dhomës së heshtur tek endesha të flija,
cepit të qerpikut e lashë një dritare,
djaloshin kur të hynte tinëz ta shihja,
çapkënin e çartuar që më çmendte fare.
Si pëshpërimë dera u hap ngadalë,
m'u bë se isha një ëndrre të dytë,
më puthi djaloshi me afsh e mall,
zemra si s'm'u ndal, i pulita sytë.
Yjet përmbi mua qenë sytë e tu,
o djalosh i ëndrrës që më vjen e shkon,
poshtë teje unë - oqeani blu,
vorbullës të përpin e nuk të lëshon...
JAM ATY
Ti nuk mund të më shohësh.
Sonte për ty jam tretur në puhizë,
një fllad ëmbëlzak përmbi gjethe.
Ti i do gjethet dhe flladin:
gjethet i lëmon ndër gishta,
flladi të përkëdhelë butë përmbi flokë.
Përgjoj ritmikën e hapave të tu:
rrak... trak...,
si rrahjet e zemrës,
që shkulin kraharorin.
Rrak... trak...
Po vjen?
Po eja, pra!
S'mund të jem gjithmonë flladi mbi gjethe,
se gjethet e kanë një vjeshtë,
shtrak... dhe bien përtokë...
E pastaj veç fllad
mbi degët krahëzbuluara
dhe mbi flokët e tu...
Nuk mund të jem për ty
vetëm dëshirë.
Ja, vjeshtën e përcolla,
fletë më fletë,
edhe dimrin e bardhë lakuriq...
Po ti, po vjen?
Po eja, pra!
Jam aromë, fllad përkëdhelës,
mbi kurmin tënd plot nur,
më mbaj si gjeth' të gjelbër,
që vjeshtë s'do të ketë kurrë.
Nuk jam më gjethe,
as fllad,
as flutur,
as vjeshtë e trishtë,
as rrënjë.
Jam unë,
mos më shih si xhindin e përrallës.
Jam unë,
prej mishi e prej gjaku,
je ti,
jemi ne të dy,
ne të dy - një!
Ja ku po vjen,
po eja, pra...
... dhe dimër
s'ka më në kalendar...
PA TITULL
Malit lart një vetëtimë,
që çan qiellin dhe shkrin re,
sulet tokës me rrëmbim,
djeg një lis diku atje.
Sot ky det i shkumëzuar,
dallgën shkëmbit ashpërson,
plot buçimë dhe zemëruar,
pak nga pak po e thërrmon.
Dikur rrinin përqafuar,
natë e ditë shkëmbi nën valë,
në çdo kohë të dashuruar,
tani zënë e prapë me mall.
Dhe mbi lis po qan rrufeja,
më i larti, gjer në diell:
"Ah, të vrava, eja, eja,
po s'je ti, s'dal më në qiell!".
..... .....
E shikon ç'bën dashuria?
Zë të vret pak e nga pak.
Ti qesh me thëniet e mia,
më pushton e më puth prapë.