GOMARI DHE I ZOTI
Kur pa prodhimin bërë det,
Gomari ngriti vëshët si lëpjetë.
U vërsul siç bëjnë gjithnjë gomerët,
Ndërsa hëna kishte ndezur fenerët.
Gjethet nën yje, margaritarë feksin,
Shpirtin ia trazojnë, i shtojnë oreksin.
Hëngri e hëngri sa u dend,
Iu morën mend e mbeti në vend.
Kurrë kjo s’i kishte ngjarë,
Kishte ca vite qe s'vinte te kjo arë.
Të nesërmen i zoti me ta parë:
- Kërriç mbete, dhe pse u bëre gomar.
Ara që hëngre mbrëmë o kokëtrash,
Nuk mbillet më me misër, por me hashash!
ARIU DHE PULA
Ariu me kokën në koshere
Duke hungërirë e me potere
Me hundë e sy brenda në hoje
Mjaltë i rridhte prej goje.
Një pulë i shkoi pranë me qetësi
Dhe nisi ta shikonte me habi.
Në mall të botës një kusar,
Ishte i pangopur dhe barbar.
Sa pa pulën ai iu drejtua:
- Përse rri këtu nuk më thua?
Të çava, të shqeva menjëherë,
Puplat të shpërndava nëpër erë!
- Eh! - kakarisi pula e çuditur,
Dhe pa udhën për të ikur.
Kjo kafshë me lesh, shtoi duke u dridhur,
Dhe pse ha mjaltë, fjalën e ka të hidhur.
DHELPRA DHE ZOGJTË
Hëna mbi pellg, ngjan si unazë,
Yjet rreth e rreth, si margaritarë.
Dhelpra po shkon rrëzës së bregut,
Fytyrën shikon në syrin e pellgut.
Dy zogj rrinë e shohin nën fletë:
- A nuk është mrekulli e vërtetë?
Me qyrkun e kaftë, me syrin qe i qesh,
Kur ecën, nuk ngjan si profesoresh?
Ngjan - i tha tjetri - qyrkun e ka për t’u shitur,
Mendjen, shpirtin, gjithnjë çark të ngritur.
DASHURIA E PULËS
Bridhte zoga rrugëve të qytetit
Me një gjel emigrant ardhur prej kurbetit..
E zhvishte nga lekët me shëtitje, bankete,
Vishej e pispillosej me pupla të reja për vete.
Sa më shumë puthje jepte dhurata,
Aq më shumë tjetrit i shtohej kamata.
Një mbrëmje tek puthej pranë kotecit,
I pa nga vatha, motra e vogël e kecit.
I tha qengjit, mëshqerrës në katua,
Fjala në vathë, e në qilar u gatua.
Lopa tha: - Fund, lërini këto fjalë,
Të vërtetës tymi ende pa i dalë!
Tha tymi: - Gjë vesh nuk po marr,
Ku shikoni tym, deri sa s'ka zjarr?
Pusho! I tha e bija e dhisë,
I doli tymi zjarrit të dashurisë!
DEBAT
Kur pa dhelprën në qymez,
Qenit gjaku se ç'iu ndez:
- Nuk më thua zonja ndrikull,
Ç’është kjo vizitë e papritur?
- Ah! Mua më rëntë rrufeja,
Tek ty s'arriti e reja?
Kaq reklama, tranzistori,
S'shikon ç'jep televizori?
- Të dëgjoj, por siç e di,
Të tilla s'mbaj në shtëpi!
- Kam ndryshuar rri me shpresë,
Ka, ka, ka, do bëj dhe vezë!
- Ke ndryshuar e shikoj,
Dhe jam gati të besoj.
Por jo hilen edhe vesin,
Ndërruar ke veç qymezin!
DHELPRA DHE QENI
Porsa nata yjet ndez,
Dhelpra niset në qymez.
Ham! Ham! Qeni pas shtëpisë,
Dhelpra hijen e lëviz.
Ham, te porta, qeni flet,
Dhelpra në dritare shket.
Por papritur ndjen dy dhëmbë,
Që iu ngulën thellë në këmbë.
S' po kuptonte këtë darkë,
Qeni po lehte shumë larg.
Qeni lëshoi hungërimën,
Pa e lëshuar viktimën.
- Ajo lehje që dëgjon,
Është thjesht magnetofon!
Me ty ndrikull natë e ditë,
Mësuam dhe ne dredhitë!
GOMARI EMIGRANT
Emigrant gomari vajti në Greqi,
Punë doli kërkoi sa pa që u gdhi.
Samarin i vuri arushi si urë:
- Shko tani në lumë të më biesh gurë!
Dhe shkonte gomari rëndë i ngarkuar,
Për një ditë pune,shpirt e trup rënduar.
Prap rrinte mendonte "Dhe pak, edhe pak.
Sa të zë ca lek, samarin do flak".
Ikën ditët, muajt, në të dalë të vjeshtës,
Mes gjethesh të thara, pa hundën e breshkës:
- Ah! Dhe ti samar moj mike e nderuar,
Po të shikoj lehtë, s'qenke e ngarkuar!
- Po iki - tha breshka - me të ëmblin zë,
Ja këtu pranë, gjith dimrin do flë!
- Po si do jetosh, fare pa punuar?
- Do konsumoj dhjamin që kam grumbulluar!
Të vi edhe unë, ti, moj mikja ime?
Gjithë këta muaj nuk bëra pushime!
Breshka shtëpinë ngriti, mes gjetheve shkoi,
Fabulisti fjalët që tha breshka shkroi:
Gjumë do flerë ariu, çfar thua zotrote,
Dhjamë ai vuri, nga cfilitja jote!
LEPURI TRIM
Ham, ham , qeni nëpër pyll,
Kafshët, bërë të tëra dyllë,
Po vraponin nga sytë këmbët,
Lepuri kish nxjerrë dhëmbët,
- Kjo është për t’u çuditur,
Është për t’u hedhë në letër
Që për jetë të mbetet vepër.
Lepuri është bërë trim,
Se për ndryshe s'ka kuptim.
Kur ne fshihemi ndër fletë,
Ai qenin rri e pret,
Dhe syri si dridhet fare,
- Ç'më thua moj kanakare?
Lëri mburrjet lëri, lëri,
Unë po dridhem i tëri,
Zemra gati të pushojë,
Frika s’tregohet me gojë.
Por pak më parë në balltak,
Këmba më mbeti në lak.
KOHË ZGJEDHJESH
Tek një kafene në fshat,
Ku rrjedh ujë nën një rrap.
Dhelpra hipën në një trap,
Por syri diçka i kap.
Njerëz grup si në kor,
Po shikojnë televizor.
Në ekran një burrë papritur,
Diçka shpreh duke bërtitur.
Kollarja lidhur në grykë,
Të papërqëndruar sytë.
Gjuha e tij korr e shin,
Dhelpra bie në mendim.
Rrugën për në kotec nget,
- Ky, nga soi jonë do jetë!?