Elona Çuliq
ELONA ÇULIQ, lindur më 18.10.1986, në Shkodër ku dhe banon aktualisht, ka studiuar fillimisht
për piano në shkollën artistike "Prenk Jakova" e më pas gjuhë frënge në shkollën e gjuhëve të
huaja "Shejnaze Juka". Studimet e larta në nivelin master i ka kryer për psikologji pranë UT.
Poezia është pjesë e pandashme e saj.
KA ME ARDH' NJI KOHË
Ka me ardh' nji kohë
qielli bebe sysh ka me m'u ba,
e ylli fundit faren n'trup tem ka me e hedh
e lutja jote pa qiell ka me mbet.
N'Tokën e premtueme yjet kanë me çilë
dhe n'vyshkje sysh lulet e frymës kanë me u tret,
e jeta ka me m'u ngtatërrue flokëve t'djersituna
nga grahmat e dhimbjes t'dalun bojet nga lotët derdhun.
Ka me ardh' nji kohë
ku ti s'ke me dit sytë kah me I drejtu,
e lutja jote n'Qiell t'huej ka me shku derë m'derë
lëmoshë tu kërku.
N'prag t'pendimit gjunjët kanë me t'lëshu
dhe falja jeme tretun lotëve t'thamë
shpirtin tand n'morsa t'pengut ka me e shtrydhë.
Lutja e dërrmueme ka me I njomun buzët
lotëve t'thamë t'kohës shkueme,
e vedit ka me pas frikë me I pohu,
që lutjen e harrueme n'nji Qiell t'huej,
e lindi për së dyti njaj Qiell që dikur krahët ia ke kthy.
TË PRES ( EDHE PSE NUK DU QË T’VISH )
Grija e qiellit m’asht ba pellg lotësh nen kambë
ylli i parë i shpresës s’fundit asht zhugatun me shkëlqim t’sforcuem
ulun kambëkryq n’zbrazëtinë e syve, pritja asht ajo çka di me ba ma mirë.
Të kam prit aq gjatë e ngujueme n’kohë, sa me ec nuk di ma
krahët e fluturimit janë gozhdue mbas drunjëve t’ndërgjegjes
e vedin e kam burgosun n’nji qiell t’braktisun nga fryma e drita.
Të pres, edhe pse nuk du që t’vish
të pres nga zakoni i pritjes mbështetun mbas vetmisë t’athët
të pres nga zakoni i pritjes t’nji pranie që tash s’e du unë.
E ti mos u çudit, askush mos të çuditet
edhe atëherë kur rrudhat t’jenë ba dëshmitare t’jetës,
kur n’kopshtin e pritjes prap t’më gjeni lule margarita tuj mbledhun.
Se unë nuk pres për ty, por për vedi
pres për rrëfimet e pritjes e t’buzëve ku rilindnin vjeshtat
dhe për sytë, me ngjyrat e të cilëve mbush kupat e dollive t’Perëndive.
Ai që nuk e ka provue pritjen, më kot lodhet me e kuptue
ankthin që t’ludron përbrenda derisa nji hap tjetër ia mëson
dorazi si një fëmijë i vogël që ka nevojë për ty.
E askush ma mirë se ti ma mësovi pritjen,
hape librin e përrallës akoma t’pa shkrueme e m’the:
vetëm mbasi t’dish me prit, ke me dit me dasht.
HESHTJE HAPASH
Me vetminë e palosun n’xhepa t’shpirtit
Eci, n’gjurmët e ditës t’shkueme strukun n’krahërorin e natës,
Me tymin e cigares thuri melodinë e shiut
N’pentagramet e diellit t’verbuem.
Ti shkon e vjen pa pushim
Me frymen veshun n’këpucët e ankthit
Cakërron heshtjen e nderun degëve t’qiellit
Dhe mbas gjetheve fsheh frutin e ambël t’ndjenjës.
Ti shkon e vjen me hapin e heshtjes
E nëpër murmuritje shprese
Bluen n’mullinin e zemrës tande
Notat e kangës së tymit e t’shiut rozë t’shtrimë n’parkun e vjetër.
Kur ka me u lodhun hapi jot i heshtjes
E kambët me i pushue përmbi mue
Përmbi krejt trupin, e shpirtin tem
E me hapa t’zjermta gjumin letargjik me e djegun.
Por ti prap shkon e vjen
E m’len mue me brumin e andrrave nëpër duer
Me i ngjeshun me randesen e mallit tand
Që m’ka bymu zemren, sytë, e deri vetë mallin.
Ah! Ti më mësove gjuhen e hanës
M’le para duerve t’saj, t’pa mbrojtun, si nji tabula rasa
Yjet me penelin e tyne m’thuren krahë e kunorë, m’rriten ëngjëll
Por dashnia për ty m’bani zemër, shpirt, sy dhe Njiri!
NË MENDJEN TANDE…
Në mendjen tande,
Ti i var litartët e diellit shpinds teme,
e unë eci, shpindkrrusun, me pajtonin “Diell”
lidhun mas vedit.
Patkojt e ditës m’gozhdohen kambëve,
zhurmoj, sa shumë zhurmoj,
e kalëroj rrugëve që shkrrumen e treten
mbas trokut tem të trembun.
Ky qiell i mbërthyem n’xherxhefët e kohës,
qendiset nga ofshamat e netëve
mbytun krahnorëve t’pritjes.
Por ti, në mendjen tande,
m’ke lidh mbas vedit Dritën,
frymën që ushqen vaktet e mungueme engjëjve sythyem,
i bindun se troku jem zhurmus,
ka me e shprish hijen e mungesës n’prani t’mrekullt,
sepse në mendjen tande, mjafton me pas Dritën.
Jam thellësia e andrrave tueja,
mungesa që ti e përkund me duert e vogla t’nji malli t’madh,
aq t’madh sa përmbyt qiellin n’vajin e tij.
Nuk ka ma realitete që ngarkohen n’shpindë,
as litarë diejsh që fishkullojnë kohët,
e i gjakosin me heshtje,
kam vetëm nji diell ktu përmbi shpind,
që nuk di cilit qiell me ia ndez?
NATË
Nata nuk asht gojë,
as sy nuk asht,
shikimet që shpërvjelin mangët e andrrave me m’i kujtue.
Nata asht andërr e palindun,
nji fetus që mbartet nga nji bark i madh, hyjnor,
i përjetshëm, i vdekshëm n’dukje por i pavdekshëm n’formë.
Nata asht engjelli i zi i parajsës që na ruen.
Na kanë rrejt,
Parajsa nuk asht dritë,
as engjejt nuk janë të bardhë e me krahë,
as qielli që na nderet përmbi krye
Nuk asht i pafundëm!
T’tana këto, gjithësia e unë bashkë me te,
e kena nji fillim e nji fund
që ngatërrohet brenda syve,
e jeton e vdes n’rrahjet e qërpikëve.
As yje nuk ka nata, jo,
Unë jam drita, ylli i parë dhe i fundit,
shpirti që ngrè velat e dritës
dhe lundron qetësisht drejt….drejt….
pa nji breg t’menduem se ku don me i preh’ velat e dritës,
pa nji breg se ku don me i zbarkue
andrrat apo ngrohtësinë e shpirtit
n’nji grusht mbledhun.
Jam përqafue me natën,
e tana fjalët ia kam lakue n’qafen e saj t’zeshkët,
sensuale e erëdrite, si nji gur që n’nji kohë
me te kam me gjujt naten,
me e rrëzue përdhè, e me i hap sytë dritës.
Deri at’ kohë unë jam Natë...
TUE SHKRUE
Jam tue shkrue kyt poezi
pa durë e penë, por me sy.
Jam tue shkrue me lotët e trazuem
t’kësaj mbramje me hanë të thinjun,
që andrrat i ka ndrye në guackat e nji deti
që na u tha në lëkurë.
Jam tue shkrue kyt poezi
me buzët që n’rrokopujën e puthjeve
gjurmojnë jetën
poshtë hapave tuej, diku në pritje.
Jam tue shkrue kyt poezi
me zhurmën e shpirtit tand
që tremb sytë e natës n’mbyllje
dhe terron qiellin e kohën.
Jam tue shkrue me frymë,
me hapat e natës që m’shkrumen në trup,
më shplodhjen e andrrimeve
që i shkundin shpresat e tyne gotës venës
pa shenja buzësh n’te,
pa shenja jetë n’bulzat e kuqe t’harrimit.
Jam tue shkrue kyt poezi me dridhjet e zemrës
që kanë etje për nji tjetër ikje,
nji tjetër diell me perëndue në çarçafët e pritjes t’çmendun.
Prejse nuk di ma në cilat fjalë me të humbë,
i lutem pa pushue Shenjtëve të poezisë!
Unë du me t’humbë,
du me e zbraz krejt shpirtin dhe trupin prej
fantazmës së frymës tande,
e me u çlirue, me u shpengue kohës
si nji fluturim që kërkon me iu qep
n’shpindë nji qielli që ka me lindë
vetëm për mue, krejt për Mue !