SHKOJ MBRAPA NË ATO VITE
Kthehem mbrapa nëpër vite,
Kur shihja flokët kaçurela.
Herë i bëja mijra heroglife,
Nëpër vargje dhe poema!
Krela krela dhe maja e maja,
I krihja me sy edhe me duar.
Më dukej shumë ulët Himalaja,
Për brumin që kisha për të gatuar...
Shikoja vetullat si dy streh,
Poshtë sytë më flisnin ndryshe.
Dy zogj të bukur flinin nën të,
Me qerpikët krah dallëndyshe...
Pastaj të shihja,ecje në rrugë,
Ajri i mbrëmjes çahej më dysh.
Aroma jote vinte si një trumbë,
Kur mes trëndafilash don të hysh.
Tingulli i takës më bëhej notë,
Në veshin tim muzikë tonizuar.
Pastaj shpirti kthehej tjetër botë,
Me gërmat trëndafilë nëpër duar.
Trëndafilat nota bëheshin gërma,
Me krahë të bukura e të lehta,
Vrapoja ti mbillja të miat ëndrra,
Në arat e fletëve nëpër letra...
Vetëm në dhomë flisja me hënën,
Vetëm atë kisha mike edhe shoqe.
Vetëm ajo ma dinte jetën, ëndrrën,
Vrapoja ta prekja në të miat mote.
Hëna verdhej e vogël nga marazi,
Ikte mes reve si grua flokë lëshuar.
Shihte luginë, shkonte pas një mali,
E kthehej në heshtje si e menduar.
Ëmbël pëshpëriste, në veshit tim;
Don që të të them një të vërtetë ?
Isha nga ajo, dhe erdha me nxitim,
As ajo s'po fle, se nuk është e lehtë!
Vetes i thashë, në mesnatë von,
Është frymëzim,e asgjë më shumë.
Lëre të mbetet varg, zog që fluturon,
Por brënda në gjoks buçiste një lumë...
Buçiste një lumë, që vinte nga truri,
Buçiste një lumë që vinte nga zemra.
Shpirt të butë në jetë ka edhe burri,
Kur në notë minore këndohet kënga...
Dhe shpirtin e lashë që të bëhej zog,
Ndjenjat i lashë të bëheshin oshëtimë.
Njëri hipte në degë këndonte në shtog,
Tjetra mërrte tingujt i përcillte në lëndinë...
Kënga ikte malesh, ikte në fluturim,
Në qetsi të natës, dhe në çati të saj.
Pastaj te unë më kthehej në agim,
Me këngë të tjera që nuk di ti ndaj.
Dhe zogu u kthye, për të dy një urë,
Një urë mesazhesh që çonte e binte.
Herë kënge e lehtë dhe herë uverturë,
Kur yjet rrinin ndezur, e kur bota flinte.
Dhe kur bota flinte ne ndiznim qirinjtë,
E drita e tyre, na bënte në shpirt dritë.
Nga larg lutjen tonë dëgjonin priftrinjë,
Mesazhe dergonin për gjithë perënditë.
Dhe unë mbyllja sytë dhe vija tek ti,
Dhe ti mbyllje sytë e vrapoje te unë.
Mes ëndërrash u gatua jona dashuri,
Nga guzhineri shpirt,me tonin brumë.