GENTJANA FEJZO AVDIJA
PA TITULL
E dashuruar me vetminë tani jam,
në ëndrra të fikura shprese,
nga hidhërimi i braktisjes lënduar,
nga moskërkimi i një Ndjese.
E dashuruar me vetminë tani jam,
në ëndrra të fikura shprese,
nga hidhërimi i braktisjes lënduar,
nga moskërkimi i një Ndjese.
Frymëzimi !
Sot nuk paskam frymëzim,
më ka braktisur,
përhumbur mes territ
endet "lakuriq"
në natën vajtonjëse të qiejve,
Ku iku ? Ku shkoi ? Mos e pa njeri ?
Sa turp !!!
Merrni shpejt një rrobë
t' ia hedhim përsipër,
të fshehim "lakuriqësinë"
e frymëzimit bastard.
Përqafim !
Një përqafim ndërgalaktik të dhuroj,
një puthje dëshirash plot gjallëri e dritë,
një dehje aromash shpirti poetik,
...një jetëgjatësi të irreales në një natëditë.
Bukuria !
Në fytyrën engjëllore,
rrudhat do të ulen gjerë e gjatë një ditë,
në syrin e bukur,
...dikur verbëria do trokasë për të të "vrarë",
ajo bukuri perri,
do humbasë një ditë shkëlqimin vezullues, e di,
veç shpirti ......ah shpirti
gjithë jetën do ta ruajë "bukurinë" e tij.
Ah dashuri !
Marrëzi e bukur,
mes ëndrrash lind në sy,
flakë pasioni ndezur,
...dëshirë për t'u bërë dy.
Madhështi ndjenjash,
mrekullia vetë mbi dhé
me lot e dëshira,
dhe frikë për t'u bërë tre.
Gjithësia aty brenda,
jeta dhe vdekja është në të,
ëndrra me dhimbje e lot,
tmerr, mos mbetesh.... një.
Pa fjalë !
Atje ku deti qiellin përqafon,
Atje ku dielli lodron me valët,
Aty ku ëndrrat prekin pafundësinë
...Aty janë të tepërta fjalët.
Vetmia vrastare !
Me sytë e vetmisë përlotur,
me heshtjen memece rri e kuvendoj,
me shpirtin arratisur detit pafund t' imagjinatës
...të largohem nga realiteti i hidhur ëndërroj,
Engjëjt dëshmitarët e hidhërimit janë,
nga vargonjtë e vetmisë shpirti bërtet,
vrastarja e ndjenjave më shtrëngon, më mbyt,
nga thellësia dhimbja çirret e bërtet.